Në komisionin për për Buxhet, Punë dhe Transfere, U.D i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi ka prezantuar raportin e shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 për pesë kategori.
Sipas Loshit shpenzimet e Kuvendit janë në shumën 3 milionë e 880 mijë e 950 euro ose 35.74 për qind e realizmit të buxhetit për 2023.Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka adresuar kritika ndaj anëtarëve të administratës së Kuvendit. I njëjti ka kërkuar përgjigje lidhur me pajisjet elektronike në Kuvend për votim, i cili shtoi se tash e disa vite nuk janë funksionale.
"Sa i përket pajisjeve ka probleme disa vite, kur një pjesë e mikrofonave nuk janë funksional. Nuk ka përkrahje, nuk prodhohen më këto pajisje, nuk ka në treg, prodhuesi ka mbyll sa i përket atij lloji. Në të dy rastet ka probleme teknike, për atë qëllim është planifikuar buxheti për blerjen e pajisjeve të reja. Ky projekt është në procedurën e realizimit. Përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit", tha Loshi.
Ndërkaq deputeti nga PDK, Mergim Lushtaku tha se shpenzimet e kryetarit të Kuvendit duken të jenë të goxha të jashtëzakonshme, derisa kërkoi edhe shpjegime për to.
"Çdo shpenzim i kryetarit, e nënkryetari, deputetit për udhëtim zyrtare brenda dhe jashtë për akomodim bëhet me vendim të Kryesisë. Çdo shpenzim administrate, Kuvendi e zbaton, ka për detyre dhe obligim t'i zbatoj vendimet. Vendimet e Kryesisë janë të detyrueshme për zbatim nga administrata e Kuvendit", tha Loshi.
Lekaj po ashtu ngriti sërish shqetësimin për zyrat e deputetëve. Sipas tij takimet e punës po bëhen në kafene për shkak të mungesës së zyrave.
"Është kërkesë që të kemi zyra. Sa keni tentuar që të gjeni hapësira që të akomodohen deputetet? Kërkesa është e kamotshme, por s’është realizuar, vetëm një zyrë dhe jo t'i bëjmë takimet në kafene, jemi në këtë gjendje", tha Lekaj.
"Për momentin nuk është që ka një objekt ose zgjidhje të caktuara për këtë çështje", tha Loshi.