I mbijetuari dhe dëshmitari Halit Gashi, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për rihapjen e procesit të rigjykimit në rastin e të akuzuarit për krime lufte Milorad Gjokoviq, ka dyshime në fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të pandehurit.
Sipas Gashit, gjykata po zvarrit shpalljen e aktgjykimit për një dëshmitare e cila, sipas tij, ka qenë e saktë dhe okulare në vrasjen dhe masakrën e familjes Krasniqi.
Ai shtoi se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë procesverbal të seancave gjyqësore të mbajtura nga gjyqtari Valon Kurti, derisa thekson se ka filluar t’i pranojë ato nga kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala- Avdyli.
Për të akuzuarin ai pret që gjykata të jep dënimin maksimal.Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij regjioni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Në aktakuzën e përpiluar më 23 qershor 2023 thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës regjionale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake, ndërsa nga ana perëndimore e fshatit, në drejtim të fshatit Vitomiricë, kishin hyrë grupe paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.