Furnizimi i ushtarëve me ushqim, CorrWatch: Ministria e Mbrojtjes ka bërë disa shkelje
Lajme
Lexohet për: 3 min.
ushqimii
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shoqëria civile, përkatisht Iniciativa ‘CorrWatch’, ka shprehur shqetësim për krijimin e gjendjes emergjente dhe shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, sipas tyre, në mënyrë të kundërligjshme për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Ushqim për Nevojat e FSK-së”.

CorrWatch vlerëson se në planin e prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2024 ka qenë i parashikimi Aktiviteti i Prokurimit “Shërbimet e Ushqimit”, që ishte planifikuar të niste më 23 shkurt 2024 me vlerë prej 13 milionë e 480 mijë euro.

“Që nga shkurti i vitit 2024 kur për herën e dytë është anuluar AP “Shërbimet me ushqim.. për nevoja të FSK-së”, MM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedurë të hapur. Pas kësaj, me datë 03 prill 2024, MM ka lidhur kontratë të negociuar e cila ka skaduar me 30 shtator 2024. MM, me datë 19 shtator 2024 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës së re në procedurë të negociuar, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, me vlerën e kontraktuar 2,149,000.00 Euro”.

Sipas CorrWatch, “Thënë këto, MM ka mundur të përdorë procedurat e negociuara vetëm në pajtim me nenin 35 të Ligji për Prokurimin Publik (LPP). Paragrafi 2 i nenit 35 parasheh që ‘Autoriteti kontraktues mund të përdor procedura të negociuara.. për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.. Kjo dispozitë sipas ligjit nuk mund të zbatohet:.” nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues’”, thuhet në reagimin e saj.

Më tej thuhet se emergjenca e shkaktuar i atribuohet mosveprimeve dhe neglizhencës së Ministrisë së Mbrojtjes.

“Nisur nga kjo konsiderojmë që MM duke zhvilluar procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, ka bërë shkelje të nenit 35 të LPP-së”.

“Përpos kësaj, CorrËatch, ka gjetur se MM gjatë negocimit të aktivitetit të fundit ka bërë edhe një varg shkeljesh të tjera. MM ka ftuar në negocim vetëm tre OE kështu duke bërë shkelje të nenit 7.1i cili parasheh se ‘AK nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose që diskriminon në dëm ose në të mirë te një ose më shume operatoreve ekonomik’. E dyta, me kontratë janë shpërblyer OE-të që nuk i kanë plotësuar kërkesat në dosjen e tenderit”, thuhet në fund të reagimit.

“Me 15 tetor, MM ka njoftuar se është anuluar ky aktivitet i prokurimit. Megjithatë, në bazë të të gjitha fakteve të shtjelluara më lartë shihet që MM ka dështuar në përmbushjen e obligimeve ligjore. Përmes këtij reagimi, CorrWatch, i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave përgjegjëse që të reflektojnë mbi këto procedura të kundërligjshme”, thuhet në reagimin publik të CorrWatch.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024