Mette Frederiksen u bë kryeministrja e parë e Danimarkës që vizitoi Shqipërinë. Në pritjen e rezervuar nga homologu i saj shqiptar, Edi Rama u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes dy vendeve. Të dy kryeministrat deklaruan se ka ende fusha, ku të dy vendet do të mund të intensifikojnë bashkëpunimin.
Pas takimit kokë me kokë mes tyre, si dhe takimit mes dy delegacioneve, Rama dhe Frederiksen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht dhe diplomatikisht një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian”, tha ai.
Rama tha se vihet re një rritje e konsiderueshme e numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhageni në Tiranë janë rritur vit pas viti. Gjithashtu, ai tha se shohin edhe një interesim të sipërmarrjes daneze.
“Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe ju jeni një aleat mjaft i besuar i NATO-s. Në një kohë kur Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, unë shpresoj që ne të mund të ndërtojmë një partneritet edhe më të fortë dhe jam shumë e sigurt që do të mund ta bëjmë një gjë të tillë”, tha kryeministrja daneze.
Duke u ndalur te përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministrja daneze u shpreh se Shqipëria ka kapacitete reformat e kërkuara.
Rama u pyet nëse Danimarka po bën majftueshëm për të lehtësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por Rama tha se askush nuk mund të shpikë nëj rrugë të shpejtë për anëtarësim.
“Nuk ka të bëjë me nxitimin për tu bërë anëtar, ka të bëjë me bërjen e detyrave siç duhet dhe ka të bëjë me përfitimin e kësaj dijeje dhe ndërtimi kapacitetesh të jashtëzakonshme që kemi në BE dhe që askush nuk mund ta shpikë”, tha Rama.