Fillon të dëgjohet dëshmitari ndërkombëtar, mbrojtja: Dëshmia e tij e bazuar në opinione
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Frederic Abrahams është dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Ai punon për “Human Right Watch” por sipas avokatëve mbrojtës dëshmitari ndërkombëtar nuk e ka të bazuar pjesën më të madhe të dëshmisë së tij dhe se e njëjta bazohet më shumë në opinione.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se duhet gjetur baza për pyetje meqë shumica e dëshmisë së tij nuk kanë asnjë lloj burimi.

Sipas Emmerson, dëshmitari ka japur dëshmi të konsiderueshme por që ato janë opinione të tij për strukturën e komandimit të UÇK-së dhe mendime të tij për kategoritë që mund të konsiderohen si kolaboracionistë.

Emerson gjithashtu tha se dëshmitari nuk ka pasur asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë dhe se vet ka pranuar që nuk kanë pasur mundësi t’i hetonin krimet e pretenduara.

“Ne e dimë që ky dëshmitar nuk e ka të bazuar shumicën e gjërave që thotë, këtë e thënë në shënim përgatitor, e ka thënë në deklarata të ndryshme. Ai thotë ‘nuk e di kush e ka thënë këtë’, madje ai thotë se 'nuk kemi pasur mundësi t’i hetonim krimet që pretendoheshin se kryheshin nga UÇK' dhe ai nuk ka pasur drejtpërdrejtë asnjë përfshirje", tha ndër të tjera Emmerson.

Ai tha se duhet të shihet me hollësi se cilat raporte mund të citohen nga ky dëshmitar derisa kërkoi nga trupi gjykues që të marrë një vendim lidhur me këtë.

Me avokatin Emmerson është pajtuar edhe mbrojtja e Thaçit, e Selimit dhe ajo e Krasniqit.

Ndërsa sipas prokurorit Alan Tiger, ka situata kur dëshmitë e mbështetura në opinione kanë në thelb edhe faktet.

Pasi dëgjoi parashtrimet, kryegjykatësi Charles Smith, tha se prokuroria duhet të vërtetojë bazën e opinionin të dëshmitarit.

“Trupi gjykuesi i kujton ZPS-së që nëse ka ndërmend të mbështetet në opinione të tilla në këtë dëshmitar duhet të vërtetojë bazën, të gjejë bazën ku e ka formuar ky dëshmitar opinionin, palët dhe pjesëmarrësit do të jenë në gjendje ta kundërshtojë një pjesë të caktuar të pyetjeve për diçka që ata mendojnë që nuk është provuese në rastin tonë konkret”, tha Smith.

Për këtë dëshmitar janë parashikuar katër ditë marrje në pyetje, dy orë nga prokuroria ndërsa 16 të tjera nga mbrojtja e të akuzuarve.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Ky është dëshmitari i 22-të i ZPS-së në këtë proces gjyqësor.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024