Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur sot tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas vendimit të gjyqtarëve të procedurës paraprake, katër të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026. Ata dyshohen se secili veç e veç, kanë kryer veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka bërë të ditur se argumentimi i këtyre dyshimeve dhe vërtetimi i fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Sipas njoftimit, këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj njëzet e tre të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit.