Monedha e vetme e eurozonës u ul në nivelin më të ulët të pesë javëve kundrejt dollarit sot, ndërsa monedha amerikane arriti një nivel të ri pesë javor kundrejt një shporte rivalësh të mëdhenj.
Euro u vu nën presion të shtuar pasi Rusia njoftoi se do të shkurtonte furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për tri ditë në fund të këtij muaji për shkak të punëve të mirëmbajtjes, duke përkeqësuar krizën energjetike në rajon.
Presidenti i Bundesbank Joachim Nagel tha për gazetën Rheinische Post se ekonomia gjermane, e cila është më e ekspozuar ndaj ndërprerjeve në furnizimin me gaz rus, "ndoshta" do të hyjë në recesion gjatë dimrit nëse kriza energjetike vazhdon të thellohet.
Ai shtoi se pavarësisht nga një recesion gjithnjë e më i mundshëm në Gjermani, Banka Qendrore Evropiane duhet të vazhdojë të rrisë normat e interesit për të zbutur inflacionin.
Dollari u rrit 2.33 për qind javën e kaluar, performanca e tij më e mirë javore që nga prilli 2020, pasi një numër në rritje i zyrtarëve të Rezervës Federale të SHBA (FED) mbronin vazhdimin e shtrëngimit të politikës monetare agresive për të frenuar inflacionin që po arrin rekord 40-vjeçar.
Funta britanike kishte një lëvizje të vogël dhe po tregtohej me 1,18325 dollarë, jo shumë larg nga niveli i ulët i tij pesë-javor prej 1,17925 dollarësh.