Ende ka nxënës në Prishtinë pa libra, 325 aplikime për subvencionim të çerdheve private
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mësimi ka filluar tash e një muaj por mungesa e librave dhe subvencionimi i prindërve, ende nuk është përmbushur në Komunën e Prishtinës, derisa janë 325 prindër që kanë aplikuar për subvencionimin me nga 70 euro si lehtësim për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet private.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati në një intervistë për KosovaPress, ka treguar se furnizimi me libra këtë vit ka qenë shumë i dobët, derisa thekson se ende ka nxënës të cilët po mbajnë mësim pa libra.

Ajo tha se shpreson që vitin e ardhshëm të mos përsëritet kjo procedurë sepse nuk është aspak në favor të prindërve dhe nxënësve.

Musmurati të nevojshme e cilësoi edhe renovimet e shkollave në Prishtinë. Ajo tha se përkundër faktit që kanë filluar renovimet në të njëjtën kohë me procesin mësimor, shkollat në Prishtinë kanë qenë në gjendje të mjerueshme dhe kanë pasur nevojë për një renovim.

Ajo shtoi se këtë vit siguria në shkolla ka avancuar, pasi ndryshe nga vitet e tjera, shkollat janë të pajisura me kamera dhe nevoja tjera të cilat kanë të bëjnë më sigurinë e nxënësve në shkolla.

Drejtoresha e Arsimit, Musmurati theksoi se për herë të parë do të realizojnë një analizë të shkollave dhe kërkesave të prindërve, në mënyrë që veprimet të cilat do t’i ndërmarrin për sigurinë në shkolla do të jenë të bazuara në fakte.

Ajo është ndalur edhe te subvencionimi me nga 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private, ku tha se deri më tash numri aplikimeve ka arritur deri në 325, derisa paraljmroi se që nga java e ardhshme do të publikohen rezultatet e përfitimeve të këtyre subvencioneve.

“Është një ndihmesë shumë e madhe, është një lehtësim i barrës financiare të prindërve të Prishtinës. Ne shpalljen e kemi bërë, ka qenë publike për 15 ditë, kemi pranuar 325 aplikacione dhe tani më komisioni është themeluar dhe janë duku rishikuar të gjitha dosjet që të kemi një listë sa më transparente dhe shumë shpejt javën e ardhshme do të publikojmë rezultat se kush ka përfituar nga këto subvencione.  ... Meqë nuk po mundemi me ndërtuar shumë çerdhe të reja publike, atëherë të paktën me i subvencionuar prindërit që i kanë të hyrat financiare me 70 euro që me i regjistruar fëmijët në çerdhe private” tha Musmurati

Ndërsa për çmimet e çerdheve publike, Musmurati tregoi se nuk do të ketë ngritje.

E duke folur për cilësinë e ushqimeve në çerdhet publike, gjë që u kritikua edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, thotë se përkundër buxhetit financiar të ulët, menyja e ushqimit për fëmijët në çerdhe është e shëndetshme.

Se prindërit shpesh vet financojnë në çerdhe dhe shkolla me nevoja elementare për nxënësit e konfirmoi edhe drejtoresha e Arsimit Musmurati, e cila tha se kjo ndodhë shumë shpesh për shkak të buxhetit të ulët të komunës.

Musmurati tregoi se po punojnë që të gjitha çerdhet të pajisen me kamera për të rritur sigurinë dhe transparencën për fëmijët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024