Furnizimi i Serbisë me raketa balistike supersonike të tipit CM-400 nga Kina nuk po konsiderohet rrezik i drejtpërdrejtë për vendet fqinje, përfshirë Kosovën, ani se ekspertët e sigurisë vlerësojnë se bëhet fjalë për sisteme shumë të fuqishme ushtarake.
Megjithatë, ata vlerësojnë që si reagim nga NATO mund të vijë vendosja e sistemit kundër-raketor i tipit Patriot në Kosovë, Shqipëri apo Kroaci.
Njohësi i sistemeve të rënda raketore, Ismet Ibishi thotë se raketat që Serbia ka siguruar paraqesin rrezik të madh, por sipas tij Kosova nuk ka arsye për shqetësim pasi mbrohet nga ombrella e NATO-s.
Ai thekson se sistemet kundërajrore të Aleancës mund t’i neutralizojnë raketat, ndërsa këshilloi që Kosova të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj tokësore për mbrojtje.
“Patjetër se ajo është, paraqet rrezik të madh. Çdo sistem raketor, po sidomos këto janë edhe një fuqi më tepër. Por, unë nuk shoh asnjë arsye që ne të shqetësohemi për këtë rast sepse NATO e ka fuqinë. Shqipëria është në NATO dhe sistemet për mbrojtje kundërajrore, edhe ato raketa, nga Shqipëria mund të intervenohet me sukses shumë të madh dhe ato të asgjësohen në ajër... Por ne po deshëm ose s'deshëm nuk mund të ballafaqohemi me fare, me asnjë sistem raketor. Sepse siç ju thashë, ajo mbrojtja kundërajrore, sidomos kundër sistemeve raketore është jashtëzakonisht e kushtueshme, kërkon kuadro të shkolluara deri me tetë vite studime. Ne nuk mund të llogarisim në atë, po edhe s'kemi nevojë. Se ne jemi, edhe një herë them, në ombrellën e NATO-s dhe ne do të vazhdojmë dhe do të jemi përherë në kuadër të fuqisë më të madhe të botës që është NATO, edhe nuk shoh arsye që ne të kemi ndonjë shqetësim”, deklaroi Ibishi.
Ibishi deklaron se raketat kanë kapacitet të godasin caqe qindra kilometra larg.
Edhe njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Afrim Veseli konsideron se furnizimi i shtetit serb me këtë arsenal raketor nuk paraqet rrezik real për Kosovës dhe rajonin.
Sipas kolonelit ushtarak raketat CM-400 të cilat tashmë i posedon Serbia janë mjaftë shkatërruese pasi arrijnë distancë deri në 400 kilometra.
Kolonel, Veseli e konsideron pozitiv njoftimin e NATO-s nga Kroacia për blerjen e sistemit raketor nga Serbia.
Sipas tij, NATO dhe SHBA kanë qenë të informuara paraprakisht për këtë zhvillim dhe pritet edhe reagim politik, ndërsa në rajon mund të vendosen sisteme anti-raketore si patriot në Kosovë, Shqipëri apo Kroaci.
Me blerjen e këtyre raketave Serbia bëhet vendi i parë pas Pakistanit që i posedon raketat CM-400 dhe është vendi i vetëm në Evropë që posedon ato.
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë.