Është çelur në Tiranë, edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.
“Panairi i Librit është në të vërtetë një festë, një nga ato ngjarjet që është shkruar në kalendarin kulturor dhe shënjon një muaj të rëndësishëm si nëntori, që lidhet mbi të gjitha me Festat Kombëtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Ndërkohë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë është pjesëmarrëse në Panairin e Librit Tirana 2022, me disa botime të sajat dhe për të cilët është organizuar edhe nga një aktivitet promovues.
Një prej botimeve të ASHSH është dhe libri i Dhimitër Anagnostit “Artisti, bota, imazhi”, me bashkëautor prof. dr. Josif Papagjonin, të cilit ju bë promovimi sot, në sallën Black Box tek Universiteti i Arteve.
“Shqipëria përmes syve të shtegtarëve” me autore Lida Miraj dhe “Fjalor i Shqipes së Faik Konicës” me autore Kristina Jorgaqin, janë të tjerë tituj për të cilët është kujdesur ASHSH për botimin.
Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.
Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.