Dyshohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, arrestohen tre persona
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të Postës në Kaçanik, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Sipas Policisë, personat me inicialet R.L, K.Z dhe A.Ç, në vazhdimësi kishin manipuluar në librin e dorëzimit të dërgesave të regjistruara të zyrës postare dhe në 28 dërgesa janë falsifikuar nënshkrimet e konsumatorëve.

“Në këtë mënyrë personat e dyshuar të lartcekur me iniciale- Zyrtarë të Postës së Kosovës, kanë rrezikuar kontratën mes Postës së Kosovës dhe një kompanie, me pasoja të mëdha financiare, në dëm të Postës së Kosovës”, është bërë e ditur në njoftimin e Policisë.

Lidhur me këtë rast ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj duke bërë të ditur se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

“Duke mos respektuar kriteret dhe rregullat për dhënien e kartelave, kanë nënshkruar në fletë-kthesat se kinse konsumatorët kanë pranuar kartelat bankare edhe pse të njëjtat nuk janë shpërndarë”, ka thënë Prokuroria.

Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024