Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio ka reflektuar në dramën e dështimit të transferimit të Romelu Lukakut.
Interi kishte planifikuar që ta rikthente Lukakun në skuadër këtë verë pasi që ai u rikthye te Chelsea nga huazimi te “Nerazzurët”, raporton KosovaPress.
Lukaku u prit ftohtë nga tifozët e Interit kur u rikthye gjatë këtij vikendi në “Giuseppe Meazza” por tani në fanellën e Romës, duke u vërshëllyer dhe ofenduar.
Duke folur në një intervistë me “Radio Serie A” përmes Gianluca Di Marzios, drejtori sportiv i Interit, Ausilio, foli për rastin me Lukakun se çfarë ndodhi gjatë verës dhe ku qëndrojnë gjërat tani.
“Vetëm po them se duhet të ketë edukatë dhe respekt, gjërat po lëviznin shpejtë, është e qartë, por në një pikë të caktuar ato ndaluan. Ka gjëra që nuk ndodhin, por nëse ka respekt, nuk është kurrë një problem. Sidoqoftë, kur fshiheni ose dërgoni përgjigje përmes njerëzve tjerë, ju mendoni të lëvizni përpara. Për mua, është një kapitull i mbyllur që prej tetë korrikut, nuk ka pendime”, shtoi më tej Ausilio.