Në seancën e sotme gjyqësore kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka deklaruar se prej frikës nga forcat serbe kishin bërë roje fshati.
Këtë ai e tha pas pyetjeve që mbrojtësi i Rexhep Selimit, Eric Tully i bëri karshi dëshmitarit të gjashtë.
Dëshmitari me kodin 4355, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka deklaruar se kryesia e fshatit në një mbledhje, kishte vendosur që të bëhej roje në fshat.
Sipas tij, kjo ka ndodhur në gusht-shtator 1998, dhe këto roje bëheshin për të ruajtur fshatin nga forcat serbe.
Ndërsa, në pyetjen e mbrojtjes se a ishte e zakonshme kjo praktikë e rojës së fshatit edhe në fshatrat tjera, kjo përgjigje u redaktua nga Specialja.
Një pjesë e dëshmisë së këtij dëshmitari të radhës së ZPS-së, ka qenë e mbyllur për publikun.
Dëshmitari i gjashtë i ZPS-së, ka nisur dhënien e dëshmisë së tij nga pasditja e djeshme. Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë u dëgjuar kryesisht në seancë të mbyllur për publikun si masë për mbrojtjen e dëshmitarit.
Ndërsa, po në seancën e djeshme gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve, dëshminë e tij e përfundoi edhe dëshmitari i pestë i ZPS-së.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm./B.Ibishi/