Policia e Kosovës në Gjilan, në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente, ka siguruar prova dhe të dhëna zyrtare që ngrejnë dyshime të bazuara për përfshirjen e dy personave në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Policisë, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërsa në të njëjtën kohë ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, i dyshuari i dytë, po ashtu mashkull kosovar dhe në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të dyshuarit të parë në punë pranë autoriteteve kompetente, duke i mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore, çka përbën po ashtu vepër penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe, me vendim të prokurorit të rastit, janë ndaluar për 48 orë.