Inicitativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin për mbylljen e Ministrisë së Financave, Punës, Transfereve dhe mungesën e transparencës në procesin e rekrutimit për pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore dhe pozitën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
“CorrWatch ka bërë kërkesën për monitorimin e këtyre dy pozitave për të gjitha fazat e procesit, dhe kërkesat e njëjta janë konfirmuar nga MFPT. Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit nga MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për monitorimin e këtyre dy pozitave. Në rastin e ATK-së, CorrWatch, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në në dosjet e kandidatëve. Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për t’a monitoruar procesin”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga GLPS, Instituti GAP & INDEP.
“Kufizimi i qasjes dhe monitorimit të shoqërisë civile cenon thellësisht transparencën dhe llogaridhënien e këtyre proceseve të rëndësishme. Përfshirja e shoqërisë civile mbetet jetike duke i kontribuar kështu parimeve kryesore te rekrutimit në institucionet publike. CorrWatch bën thirrje për një qasje të hapur dhe të drejtë, ku monitorimi nga shoqëria civile të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës në të gjitha fazat e procesit të rekrutimit”, thuhet tutje në komunikatë.