Çeku: Serbia është shndërruar në recidiviste e pengesave për sportistët kosovar, do t’i shpallim betejë ligjore
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pas bllokadës së fundit që Serbia ua ka bërë pingpongpistëve të Kosovës duke mos i lejuar ata që të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Pingpongut që po zhvillohet në Beograd.

Në një konferencë për media, Çeku tha se sa më shumë suksese që po i arrin Kosova në ndërkombtarizimin e sportit, aq më të mëdha po bëhen bllokadat nga shteti serb dhe se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve

“Sa më shumë që bën Kosova në raport me ndërkombëtarizim dhe me sukses ndërkombëtar në sport, aq më të mëdha janë bllokadat nga shteti i Serbisë. Kemi një sjellje destruktive përsëri nga shteti i Serbisë, kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve, është shkelje e rëndë e të gjitha të drejtave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivite dhe për këtë ne jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare”, ka thënë Çeku.

I pari i MKRS-së shtoi se së në konsultim dhe harmoni me instancat tjera sportive, ndaj Serbisë do të vazhdojë beteja ligjore edhe ne instancat ndërkombëtare sepse ky shtet tashmë është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve të Kosovës.

“Deri në këtë moment, Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në komisionin disiplinorë të Federatës Evropiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instanca të tjera ndërkombëtare dhe ne si institucione duke respektuar në plotëni autonominë sportive do të jemi mbështetëse për organizatat tona sportive që t’i adresojmë në rrugë ligjore, ndërkombëtare këto shkelje te shtetit të Serbisë në raport me sportistët e Kosovës sepse Serbia është shndërrua në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve tanë.”, theksoi Çeku.

Në këtë konferencë, i pari i MKRS-së gjithashtu bëri të ditur se që nga sot, Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

“Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Edhe një arritje shumë e rëndësishme në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës. Shfrytëzoj rastin që ta uroj Komitetin Paralimpik, lëvizjen paralimpike të Kosovës, të gjithë sportistët paralimpik të cilët tani e tutje do ta kenë edhe një mundësi shtesë të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare. Me këtë anëtarësim, sportit të personave me aftësi të kufizuara i është hapur rruga dhe mundësia për të marr pjesë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, tha Çeku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024