Bosch kritikon ZPS-në: Nuk ka prova për dënimin e Thaçit dhe të tjerët
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Bosch kritikon ZPS-në: Nuk ka prova për dënimin e Thaçit dhe të tjerët
bosch foto
15/02/2026 - 14:07
Linku u kopjua

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch e konsideron absurde kërkesën e Prokurorisë për dënim me burgim nga 45 vjet për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai thotë se nuk ka prova që argumentojnë pretendimet e ZPS-së për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson që pret nga trupi gjykues të shpallë të pafajshëm dhe t'i lirojë në mungesë provash.

Të hënën kanë filluar parashtrimet përfundimtare në procesin më të madh gjyqësor në Speciale.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënimin me nga 45 vjet burgim për Thaçin dhe të tjerët.

Ndërkaq, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, duke thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.

Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch thotë se nuk është e vërtetë që Ushtria Çlirimtare ka qenë kriminale, në të kundërtën shton se nuk do të bashkëpunonte NATO.

"45 vite dënim me burg bazuar në çfarë? Dua të them, më vjen shumë keq. Nuk mund ta kuptoj fare sepse, siç e dini, ky proces po zgjat prej mjaft kohësh dhe ka pasur shumë dëshmitarë, e shumë prej tyre e kanë minuar vërtet atë që thoshte prokuroria. Ajo që nuk kuptoj te prokuroria është se ata duken sikur janë thjesht armiq të atyre katër personave. Duket sikur janë aty vetëm për t’i dënuar me çdo kusht. Normalisht do të thoshit: "Dakord, kemi një proces, ata janë të akuzuar". Unë nuk jam jurist, por ata janë të akuzuar, pastaj vijnë shumë dëshmitarë dhe ti mendon: "Oh, ndoshta nuk është aq keq sa mendonim". Kjo do të ishte normale. ​Dhe tani, në fakt, ata e bënë edhe më keq. Ata ende thonë se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale, gjë që nuk është e vërtetë dhe është vërtetuar se nuk është e vërtetë. Nuk ishte organizatë kriminale sepse unë vetë kam qenë i përfshirë personalisht në vitin 1999 me qeverinë holandeze dhe NATO-n. Dhe natyrisht, ne e dinim që po përdornim UÇK-në si trupa të NATO-s në terren. Dhe ajo, sigurisht, nuk ishte organizatë kriminale, përndryshe nuk do të bashkëpunonim me ta. Ata punuan për ne. Pra, ajo që ky prokuror po thotë de fakto, është se NATO po bashkëpunonte me një organizatë kriminale, gjë që sigurisht nuk është e vërtetë. Dhe përsëri, Clark dhe të gjithë dëshmitarët e tjerë e kanë konfirmuar që ky nuk ishte rasti", deklaron Bosch.

Trupi gjykues i cili udhëhiqet nga gjyqtari Çarls Smith, sipas diplomatit holandez, duhet të jetë neutral në vendimin ndaj të akuzuarve.

Për kërkesën e ZPS-së për dënim me nga 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së, kanë reaguar liderë të Kosovës e të rajonit.

Edhe Bosch thotë se kjo është kërkesë absurde, meqë konsiderohet burgim i përjetshëm.

Në Prishtinë do të protestohet në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me moton "Drejtësi, Jo Politikë".

Ish-ambasadori Robert Bosch thotë se kjo është e nevojshme, meqë Kosova po fyhet me pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kriminale.

Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch flet edhe për krijimin e institucioneve të reja, për çka thotë se Kosova humbi shumë fonde nga Bashkimi Evropian e Banka Botërore.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën do të vijohet me parashtrimet përfundimtare të ekipit mbrojtës të Jakup Krasniqit. Më pas radha është e trupit gjykues dhe Zyres së Prokurorit të Specializuar e mbrojtës të viktimave.

Të mërkurën do t'i drejtohen trupit gjykues me nga 20 minuta edhe ish-kerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026