Bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës rrezikon punëtorët e kësaj kompanie publike të mbesin pa paga. Krahas këtij ngërçi financiar, mund të ndalen edhe investimet e planifikuara në Telekom. Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Telekom, Lamih Balaj për KosovaPress. Telekomit të Kosovës i janë bllokuar të enjten pasdite llogaritë bankare, pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me borxhin prej 5.7 milionë euro ndaj Z-Mobile.
Kryetari i kësaj sindikate, Balaj ka kërkuar nga institucionet përkatëse, në këtë rast Ministria e Ekonomisë dhe kryeministri që të marrin masa për gjendjen e rëndë të krijuar në Telekom. Balaj ka paralajmëruar se do të organizojnë edhe protesta për zhbllokimin e llogarive. Ndërsa, menaxhmenti i Telekomit ka reguar me anë të një komunikate se ‘përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha. Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut’.
Balaj dyshon se mbyllja e llogarive bankare ka ndodhur në bashkëpunim mes kompanisë ‘Z-mobile’ me Gjykatën Komerciale.
Në komunikatën e menaxhmenit të Telekomit thuhet se përmbaruesi Irfan Kërçagu vazhdon veprën e filluar nga përmbaruesi i shkarkuar Ilir Mulhaxha, Telekomi kërkon edhe shkarkimin e Irfan Kërçagut.
Në komunikatë thuhet se përkundër argumenteve të fuqishme të Telekomit të Kosovës sh.a, të njohura tashmë për publikun, ende po vazhdon drama me shumë akte, e përvetësimit të jashtëligjshëm të parasë publike, e cila përpos grykësisë dhe papërgjegjësisë, shpërfaqë edhe fuqinë e akterëve të përfshirë në këtë veprimtari, për të sfiduar tashmë krejtësisht hapur sistemin e drejtësisë dhe ligjin.
"Edhe pse Dhoma e Shkallës së Dytë pranë Gjykatës Komerciale, tri herë i ka kthyer në rigjykim vendimet e Dhomës së Shkallës së Parë për të njëjtin rast, si pasojë e shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe asaj përmbarimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.Edhe pse, Vendimi KPPP.nr.2074/23, i datës 30.11.2023, në paragrafin e parafundit në faqen 5, kërkon shprehimisht nga Dhoma e Shkallës së Parë që në rigjykim të angazhojë një institucion ose kompani të licencuar të auditimit për të hartuar ekspertizën financiare që do të definojë obligimet e sakta të palëve", thuhet në njoftim.