Blinken: Palët ndërluftuese të Sudanit ranë dakord për një armëpushim treditor
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se forcat e armatosura sudaneze dhe Forcat rivale të Mbështetjes së Shpejtë kishin rënë dakord të respektonin një armëpushim mbarëkombëtar për 72 orë duke filluar nga mesnata.

“Gjeneralët ndërluftues të Sudanit kanë rënë dakord të mbajnë një armëpushim tre-ditor për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës në vendin e Afrikës Lindore”, ka thwnw Blinken.

Blinken tha se "negociatat intensive" çuan në marrëveshjen midis Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF), të udhëhequra nga gjenerali Abdel-Fattah Burhan, dhe gjeneralit të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) Mohammed Hamdan Dagalo, i cili zakonisht njihet si Hemedti.

“Gjatë kësaj periudhe, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje SAF dhe RSF që të respektojnë menjëherë dhe plotësisht armëpushimin”, tha Blinken në një deklaratë, shkruan AA.

"Për të mbështetur një përfundim të qëndrueshëm të luftimeve, Shtetet e Bashkuara do të koordinohen me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, dhe palët civile sudaneze, për të ndihmuar në krijimin e një komiteti për të mbikëqyrur negociatat, përfundimin dhe zbatimin e një ndërprerjeje të përhershme të armiqësive dhe marrëveshjet humanitare në Sudan”, shtoi ai.

SHBA gjatë fundjavës mbylli ambasadën e saj në Khartoum dhe evakuoi stafin e saj nga vendi ndërsa dhuna vazhdonte. Uashingtoni po shqyrton aktualisht opsionet për rifillimin e aktivitetit të tij diplomatik në vend, potencialisht me një prani të re me bazë në qytetin e Port Sudanit në Detin e Kuq, tha të hënën Departamenti i Shtetit.

Të paktën 413 persona janë vrarë dhe 3,551 të tjerë janë plagosur që nga 15 prilli kur shpërtheu konflikti në kryeqytetin Khartoum dhe qytete të tjera midis Forcave të Armatosura sudaneze dhe RSF-së, të cilën ushtria e kishte shpallur një grup rebel.

Mosmarrëveshjet ishin nxitur në muajt e fundit midis ushtrisë dhe RSF-së mbi reformën e sigurisë ushtarake. Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në procesin e negociatave të kryera nga palët ndërkombëtare dhe rajonale për kalimin në sundimin civil dhe demokratik në Sudan.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024