Ndonëse janë ende në Ligën e Kampionëve, ky është një nga sezonet më të dobëta të viteve të fundit për Bayern. Ata u eliminuan në Kupë që në fillim dhe Bayer Leverkusen ua mori titullin pas 11 vjetësh mbretërimi në Gjermani. Pavarësisht se si përfundon sezoni i bavarezëve në Ligën e Kampionëve, Thomas Tuchel largohet në fund të sezonit dhe drejtuesit e Bayernit duhet të gjejnë urgjentisht një trajner të ri. Xabi Alonso ishte dëshira e parë dhe më e madhe e drejtorit sportiv të bavarezëve, Max Eberl, por ky i fundit e bëri të qartë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Leverkusen. Ftesë ka marrë edhe trajneri i Elfit, Julian Nagelsmann, por edhe ai nuk dëshiron të kthehet në klubin që e shkarkoi për të sjellë Tuchel, ndaj ka vazhduar kontratën me DFB-në.
Oferta e Bayernit është refuzuar edhe nga trajneri austriak dhe ish-trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick, ndërsa Bild shkruan se bavarezët janë refuzuar edhe nga menaxheri anglez i Brighton, Roberto De Zerbi dhe trajneri i Aston Villas, Unai Emery. Bild shton se te Bayern fokusi kryesor është te trajneri i United, Erik ten Hag dhe Roger Schmidt i Benfica dhe basku Julen Lopetegui. Schmidt ka refuzuar ftesën dhe nuk ka dëshirë të largohet nga Lisbona, dhe holandezi ka një kontratë të vlefshme me United. I vetmi i lirë është Lopetegui, i cili ka mbetur pa punë qe nga fundi i sezonit të kaluar, kur drejtuesit e Wolverhampton vendosën t'i japin fund bashkëpunimit.
Reagimi i Guardola-s
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i cili kaloi tre vjet të karrierës së tij si trajner në Bavari, komentoi kërkimin dramatik për një trajner të ri të Bayern. "Unë mendoj se është çështje kohe kur Bayern do të zgjedhë një trajner të ri. Ata duhet të vlerësojnë me kujdes se kë duan të sjellin duke marrë parasysh lojtarët që kanë në dispozicion dhe çfarë lloj loje duan të prezantojnë. Bayern ka njerëz cilësorë dhe ata me siguri do të gjejnë zgjidhjen më të mirë. Iu uroj nga zemra, sepse e dua shumë atë klub”, tha Guardiola për Sky.