Partia Demokratike e Kosovës përjashtoi tre anëtarë të degës në Gjilan pasi të njëjtit nuk respektuan vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj partie për pezullim të çdo komunikimi zyrtar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vendimi është marrë në një mbledhje të Kryesisë së PDK-së ku u tha se Leonora Morina-Bunjaku, Enver Shabani dhe Bajram Isufi nuk zbatuar qëndrimet partiake duke vazhduar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, edhe pas prishjes së koalicionit.“Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarë: Leonora Morina - Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin. Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, njoftoi PDK përmes një komunikate.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për aktualitetin politik në vend ku sipas PDK-së gjendja në Kosovë është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.
Sipas PDK-së, Qeveria Kurti ka humbur çdo kredibilitet dhe zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.