Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë vlerësohet si një vlerë e trashëguar ndër shekuj dhe thelbësore për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu, respekti i ndërsjellë dhe ruajtja e diversitetit konsiderohen çelësi për një shoqëri të qëndrueshme dhe harmonike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes komuniteteve.
Kështu u tha në tryezën e Dialogut Ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”, në të cilën morën pjesë përfaqësues shtetëror e fetar e partnerë ndërkombëtarë.
Sigurisht, kohët e fundit, e në veçanti gjatë këtyre dy dekadave të fundit, duket sikur dikujt nuk i pëlqen kjo harmoni dhe kjo bashkëjetesë fetare. Duke u thirrur në demokraci dhe në lirinë e shprehjes, e shpeshherë pa e kuptuar fare se çfarë është demokracia dhe cilët janë kufijtë e saj, disa persona me vetëdije shfaqin urrejtje dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për urrejtje mes shqiptarëve. Ata bëjnë thirrje për konvertime, duke pretenduar në emër të një shqiptarie të rreme se njeriu duhet të largohet nga Islami për të qenë shqiptar i mirë.
E gjithë kjo, në asnjë mënyrë, nuk ka të bëjë me realitetin. Kjo është tepër nënçmuese, kjo është urrejtje, madje mund ta quaj edhe krim, sepse krim nuk do të thotë vetëm të vrasësh dikë, por edhe të shkelësh të drejtat elementare që i gëzon çdo njeri.Mirëpo shqiptarët janë ata që edhe në këto momente dinë të vlerësojnë drejt, të shohin drejt dhe të kuptojnë realitetin. Besoj se kjo është një tentativë që ka nisur si një dështim dhe që do të mbetet e tillë.
Ne sot e gëzojmë lirinë dhe çdo individ ka të drejtë të përcaktohet për atë që ia ndien shpirti. Duhet ta njohim dhe ta respektojmë lirinë e njëri-tjetrit. Por kjo liri nuk duhet të përdoret për të shprehur mllef apo për të nxitur urrejtje ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj si ne, apo që nuk janë të kënaqur me zgjedhjet që dikush tjetër i ka bërë në jetë.
Ka, herë pas here, përpjekje të tilla. Nuk e di nëse janë shprehje të qëllimeve të gabuara apo rezultat i gabimeve të paqëllimshme. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shohim se kush po e dëmton harmoninë tonë të brendshme, dhe të përpiqemi të bashkëbisedojmë me ta. Natyrisht, ligji duhet të veprojë njësoj për të gjithë. Ligji nuk duhet të jetë diçka që na ndan në të pambrojtur dhe në të paprekshëm, por diçka që na barazon në shoqëri.
Jemi shumë të vetëdijshëm se mund të ketë burime të përpjekjeve për prishjen e harmonisë sonë fetare edhe nga faktorë të jashtëm. Dhe aty suksesi i institucioneve tona nuk është vetëm shprehje e profesionalizmit dhe patriotizmit tonë, por edhe e bashkëpunimit që kemi me bashkësitë fetare këtu. Natyrisht, do ta veçoja Bashkësinë Islame të Kosovës, me të cilën jemi në komunikim të rregullt për çfarëdo elementi apo përpjekjeje që bie ndesh me dashamirësinë dhe traditën tonë të besimit.
Mesazhi nga kjo tryezë është i qartë: dialogu, respekti dhe bashkëpunimi mbeten themeli i një shoqërie të qëndrueshme dhe të bashkuar. Në fund, pjesëmarrësit përcollën edhe një mesazh të përbashkët që paqja, mirëkuptimi dhe toleranca të ruhen dhe të forcohen edhe më tej.