Ballkani do të shpërthejë nëse NATO nuk reagon për të shuar agresionin rus e serb në Kosovë
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Studiuesja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po hap një front të ri kundër Perëndimit. Ai po vepron në Ballkanin Perëndimor, i cili është krahu më i dobët i NATO-s dhe paraqet një objektiv të përshtatshëm për ambiciet e Rusisë.

Stradner në një opinion për Telegraph.co.uk, ka komentuar edhe sulmin terroristë të 24 shtatorit në veri të vendit, duke thënë se ky përshkallëzim është një ëndërr e realizuar për Moskën.

“Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për përshkallëzime në Kosovë prej muajsh, duke ndezur tensionet në Ballkan për të hutuar Perëndimin nga lufta e tij në Ukrainë”, ka shkruar ajo.

Opinioni i plotë i Ivana Stradner:

Përballë tensioneve në rritje, objektivi strategjik kryesor i Vladimir Putin është tashmë i qartë: të shpërbëjë NATO-n dhe të ekspozojë dobësitë e aleancës. Pasi Rusia po përjeton pengesa në Ukrainë, kërcënimi i menjëhershëm për anëtarët e NATO-s si Poloninë dhe shtetet baltike mund të zbutet disi. Megjithatë, është në Ballkan ku krahu më i dobët i NATO-s, i cili paraqet një objektiv të përshtatshëm për ambiciet e Rusisë.

Këtë javë, në një nga konfrontimet më të këqija që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, dhjetëra serbë etnikë të armatosur rëndë sulmuan policinë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan në një kishë ortodokse; një incident që la të vdekur një polic dhe tre nga sulmuesit. Liderët e Kosovës, kuptohet, e cilësuan atë si një sulm terrorist. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi çdo përfshirje, duke iu ankuar ambasadorit të Rusisë në Serbi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kryente “spastrim etnik brutal” me mbështetjen e Perëndimit.

Ky përshkallëzim është një ëndërr e realizuar për Moskën. Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për përshkallëzime në Kosovë prej muajsh, duke ndezur tensionet në Ballkan për të hutuar Perëndimin nga lufta e tij në Ukrainë. Ata kanë vërshuar me propagandë duke përsëritur pretendimin e vjetër se Kosova i përket Serbisë – një ndër to është artikull propagandistik i cili argumentoi se Britania e Madhe po përgatit një luftë atje. Siç e di çdo student i historisë së Ballkanit, një retorikë e tillë ka ndezur më parë dhunën etnike në rajon.

Rusia shpejtoi të përfitonte nga incidenti: një zëdhënës rus deklaroi se "presioni shtesë perëndimor" po e çonte "të gjithë rajonin e Ballkanit në një prag të rrezikshëm". Putini e di se nuk ka nevojë të dërgojë forca ushtarake në Ballkan – ai mund të përdorë luftën hibride për të destabilizuar rajonin dhe për të rivendosur Rusinë si të vetmin negociator të besueshëm të konfliktit atje. Ky plan realizon tre qëllime: të shpërqendroj Perëndimin nga Ukraina, të forcojë pozitën rajonale të Moskës dhe t'i japë Putinit ndikimin e fuqive perëndimore nëse ata duan që konflikti në rajon të mos përshkallëzohet.

Serbia përfiton poashtu. Vuçiq ka qenë duke e përshkallëzuar dhe më pas de-përshkallëzuar situaten në Kosovë duke e pozicionuar veten si shtyllë të stabilitetit dhe duke e përdorur atë si mjet pazaresh me Perëndimin. Qëllimi përfundimtar i Vuçiqit është të mbaj pushtetin dhe kriza e Kosovës e ndihmon atë të largojë vëmendjen nga çështjet e tij politike të brendshme dhe të rrisë mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme.

Të premten Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e paprecedentë duke njoftuar publikisht për një “dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën”. Sado e rrezikshme të jetë kjo, Vuçiq e di se nuk ka nevojë të dërgojë ushtri. Në vend të kësaj, ai mund të përdorë librin e lojërave të Putinit dhe të dërgojë "burra të vegjël të gjelbër” - ushtarë me uniforma të pashënuara, për të minuar Kosovën dhe për të krijuar një mohim të besueshëm. Ndoshta kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur tashmë.

NATO ka njoftuar se është duke forcuar praninë e trupave të saj në Kosovë – me Ministrinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar që transferon komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO për të ofruar ndihmë – por ajo duhet të bëjë më shumë, dhe shpejt, për të shuar dhunën dhe për të paralajmëruar Rusinë dhe Serbinë. Më urgjentisht, ajo duhet të përshpejtojë operacionet e saj të informacionit brenda dhe jashtë vendit. Një krizë tjetër e Kosovës mund të përhapet lehtësisht në Maqedoninë e Veriut, një vend anëtar i NATO-s, dhe do të kishte implikime të mëdha për mbrojtjen evropiane në një kohë kur SHBA-ja është e hutuar nga zgjedhjet e saj të ardhshme. Ky është një moment i rrezikshëm, por pakkush është duke folur për të.

Tre dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, tensionet etnike në Ballkan nuk janë zhdukur kurrë. Pavarësisht epërsisë së përgjithshme ushtarake të NATO-s, ajo ka një pozitë apo ndikim të dobët në Ballkan dhe Rusia vazhdon të ia tejkaloj NATO-s atje. Është koha që NATO të forcojë praninë e saj në rajon dhe të ndërmarrë veprime që e bëjnë Rusinë të ndihet se duhet të mbrohet.

https://www.telegraph.co.uk/news/2023/09/30/putin-is-opening-up-a-new-front-against-the-west/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024