Kryesuesi i bordit drejtues të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Naim Bardiqi, tha se do të përqendrohen në racionalizim të shërbimeve shëndetësore në të gjitha spitalet e përgjithshme, mbështetur në nevojën për ofrim të shërbimeve, në zonën e përgjegjësinë e spitalit ku jetojnë qytetarët.
Këto komente ai i bëri gjatë vizitës në Spitalin e Pejës, ku theksoi se vëmendje do t'i kushtohet edhe reduktimit të listave të pritjes, analizës së shfrytëzueshmerisë së kapaciteteve, burime njerëzore dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së avancuar.
Në anën tjetër, Elvir Azizi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, tha se është duke analizuar raportet e punës dhe gjendjen në secilin institucion përbërës të ShSKUK-së, për të vepruar në përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore.
Fazli Shala, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, prezantoi raportin 3 mujor të punës, duke paraqitur punën dhe shfrytëzimin e kapaciteteve në secilin repart të spitalit.
Nysret Pepaj, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor dhe Shtëpive me Integrim, raportoi për shërbimet që ofrojnë ky institucion dhe planin për zhvillim e avancim të shërbimeve.
Anëtarët e bordit drejtues dhe drejtori i ShSKUK, vizituan disa nga repartet e Spitalit dhe panë nga afër punën që po bëhet në to.