Mbi 200 mijë punëtorë kanë braktisur Kosovën në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke e rritur ndjeshëm numrin e atyre që emigrojnë jashtë vendit. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në sektorët e ndërtimtarisë dhe të gastronomisë, ku ikja e punëtorëve është më e theksuar.
Kështu bën të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për KosovaPress, derisa tregon se statistikat e reja për numrin e punëtorëve që kanë braktisur Kosovën janë grumbulluar duke monitoruar flukset e tyre nëpërmjet aeroporteve dhe linjave të autobusëve.
"Sipas të dhënave tona, kjo shifër mbi 200 mijë punëtorë. Unë e di që për dikë është një shifër jo shumë serioze. Por, megjithatë ne llogarisim që janë diku rreth 250 mijë punëtorë në sektorin privat të Kosovës dhe është shumë normal që mbi 250 mijë i kemi pasur punëtorë pa kontrata pune, të cilët nuk kanë qenë të evidentuar. Si i kemi marrë këto statistika? Realisht ne i kemi bërë vetë vizita ku kemi marrë ikjen e punëtorëve që kanë dalur jashtë përmes aeroportit, ikjen e punëtorëve që kanë dalur përmes autobusëve dhe jemi ardhur deri tek një shifër, e cila tek ne është shumë më e madhe. Megjithatë, ne e kemi rrumbullaksuar në gjashtëmujorin e parë kemi mbi 200 punëtorë, ose mund të themi mbi 200 mijë të rinj të kanë ikur nga Kosova...Nëse e marrim në balancim, punëtorët e sektorit privat me ata publik, është rreth 92 me 7 për qind të sektorit publik", thotë Azemi.
Për KosovaPress, Azemi potencon se mungesa e punëtorëve të kualifikuar po shkakton stagnim në shumë projekte madhore.