Në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë” në Shqipëri u zhvillua konferenca shkencore “Atlasi Etnografik Shqiptar: Kultura, Natyra, Arti”. Të ftuar ishin antropologë nga qendrat e kërkimit shkencor dhe universitar në Kosovë dhe studiues të fushave ndërdisiplinare.
Prof.dr. Nebi Bardhoshi tha se “Atlasi etnografik” është projekti më madhor që Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit ka realizuar prej vitesh.
“Mbledhja e të dhënave në terren do të shërbejë për kërkim të mëtejshëm nga të tjerë studiues dhe studentë për të arritur te një produkt shkencor”, tha Mirela Muça, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) si mbështetës financiar i këtij projekti.
Në seancën e parë të konferencës Dr. Olsi Lelaj (IAKSA) prezantoi “Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot: çështje dhe risi” dhe homologia e tij, Dr. Lumnije Kadriu (Departamenti i Etnologjisë – Instituti Albanologjik i Prishtinës) paraqiti “Atlasi etnografik i fshatit kosovar: Një projekt i ri kërkimor”.
Në pjesën e dytë “Atlasi, Kultura, Natyra”, ligjëruan: Prof.dr. Nebi Bardhoshi, me temën “Shdërrimet e fshatit shqiptar dhe “Atlasi etnografik”; Dr. Edvin Zhllima dhe Dr. Drini Imami (Universiteti Bujqësor i Tiranës & CERGE EI) trajtuan “Rolin dhe evolucionin e ndërmjetësve tradicionalë në shoqërinë rurale post-komuniste: Rasti i kryeplakut në Shqipëri”; dhe Dr. Ervin Kaçiu (IAKSA) me temën “Jetë në fill: fshati shqiptar sot, mes lokales dhe transnacionales, të shkuarës dhe së tashmes”.
Gjithashtu ligjeruan Dr. Mikaela Minga (IAKSA) me “Peizazhi tingullor i fshatit mes të djeshmes dhe së sotmes: Premisa për një rrëfim etnografik”; Dr. Ledia Dushi (IAKSA) me “Rite apotropaike. Mentaliteti dhe praktikat e mbrojtjes”; Dr. Edmir Ballgjati (IAKSA) me “Vëzhgime mbi muzikën tradicionale në fshatin shqiptar sot” dhe Ma. Eros Dibra (IAKSA) me “Kamera, një antropologji e heshtur: mbi imazhin dhe tingullin në projektin Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot”.