Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit në të ardhura.
Sipas ATK-së, kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore.
“Në të njëjtën kohë, marrëveshja adreson edhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mosdeklarim apo deklarim jo të saktë të të ardhurave”, thuhet në njoftim e agjencisë, transmeton KosovaPress.
ATK bën të ditur se në kuadër të kësaj marrëveshjeje përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore.Gjithashtu, sipas ATK, marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.
Agjencia Tatimore thotë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet.