Kontrata Kolektive dhe Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar” ishin ndër temat për të cilat u diskutuan në takimin e mbajtur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrit e Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe kryetarët e komunave.
Në këtë takim u kërkua zgjidhje e menjëhershme nga qeveria aktuale sa i përket Kontratës kolektive, për çka u theksuan dëmet që po u shkaktohen komunave si pasojë e obligimeve të dala nga Kontrata Kolektive.
Përveç kësaj, nga pushteti u diskutua rreth problematikës me qentë endacak.
Kryeministri Kurti tha se çështja e qenve endacak po rëndohet çdo herë e më shumë, për çka u bëri thirrje komunave që bashkë me ministritë e linjave të përcaktojnë lokacionet për tu ndërtuar qendrat për trajtimin e tyre të përkohshëm. Ai tha se qeveria e Kosovës është e gatshme që të bashkëfinancojë për këtë projekt.
Kurti potencoi se komunat duhet të vazhdojnë fushatën e tyre për kastrimin, vaksinimin dhe sterilizimin e qenve endacak.
Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, për çka Kurti tha se ky projekt do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshme të komunave.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit theksoi se duhet fuqizuar bashkëpunimi me komuna pasi kjo ndikon në interesin e qytetarëve dhe shtetit.
Përveç kësaj, ai u bëri thirrje kryetarëve të komunave që të fillojnë me sistemin e arsimit dual, pasi disa prej tyre ende nuk kanë filluar.
Po ashtu edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se problematika e qenve endacak kërkoj qasje të shpejtë dhe reagim institucional.
Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu theksoi dëmet e shkaktuara financiare nga kontratat kolektive.
Ai tha se komunat e Kosovës po sfidohen me jostabilitet financiar dhe se kërkoi nga kryeministri Kurti zgjidhje të menjëhershme për obligimet që dalin nga kontratat kolektive.
Aliu potencoi se për shkak të kësaj, komunat e Kosovës kanë humbur rreth 115 milionë euro të buxhetit komunal.
Ai kërkoi nga qeveria e Kosovës që të bëjë mbulimin e plotë të shpenzimeve në kuadër të kontratave kolektive për vitin 2025 dhe viteve në vazhdim përmes kornizës afatmesme.
Përveç kësaj, Aliu kërkoi që mjetet e humbura të rimbursohen.
Lidhur me këtë, Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se është e pamundur që të ndahen mjete për mbulimin e shpenzimeve apo rimbursimin e tyre.
Sipas tij, për shkak të veprimeve të mëhershme nga qeveritë e kaluara, buxheti aktual nuk u lejon që të realizojnë këtë kërkesë të komunave lidhur me kontratat kolektive.
Përveç kësaj, Murati konsideroi se është e pamundur të mos bëhet bllokimi i xhirollogarive nëpër komuna për çka përmendi se ky është vendim gjyqësor i formës së prerë.
Murati e vlerësoi si enigmatike çështjen se pse ende nuk ka asnjë person përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga obligimet e kontratave kolektive.
Ky është takimi i shtatë ndërmjet kryetarëve të Komunave të Kosovës dhe kryeministrit Kurti dhe ministrave.