Sekretari i përgjithshëm Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi nën shoqërimin e policisë është larguar nga objekti i kësaj ministrie.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po zhvillohet një aksion, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare."Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, thuhet në përgjigje.