Në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në, organizoi sot një ceremoni përmbyllëse të këtij procesi me rëndësi të madhe shtetërore dhe shoqërore. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ai u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë.“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.
Për realizimin dhe përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, mbështetje dhe kontribut të çmuar kanë dhënë edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, për të cilat gjithashtu jemi mirënjohës dhe falënderues.