Bullgaria gati për pritjen e turistëve nga Kosova
Lexohet për: 7 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Rrugët me kalldrëm, muret e rrënuara, shtëpitë prej druri e rrugicat e ngushta dëshmojnë historinë e lashtë të këtij qyteti. I vetmi vend nga Bullgaria, Nessebari antik, është nën mbrojtjen e UNESCO-s që nga viti 1983. Mbi tre mijë vjet i vjetër, qyteti bullgar është një nga më të vizituarit në të gjithë bregdetin e këtij vendi. Kaltërsia e qiellit nuk dallon me atë të detit, e hijeshinë ia shtojnë varkat në breg. Nuk mungojnë as ngjyrat, që përreth rrugicave të ngushta janë të shumta.

Eksplorimi i këtij vendi evropian është i pamundur pa agjensionin turistik “Fibula”. Nessebari nuk është destinacioni i vetëm që kosovarët ndjejnë nostalgjinë për vizitë në Bullgari.

 “Risi sivjet për verën 2024 është riviera e Bullgarisë. Do të vendosim charter fluturim prej datës 18 qershor dhe do të ketë deri në fund të muajit shtator. Interesimi është shumë i madh, kërkesat ka të mëdha për Bullgari sepse është destinim i ri dhe pasi që jemi viza free, pra nuk kemi nevojë për viza, njerëzit udhëtojnë të lirë dhe do të vijnë të vizitojnë për Bullgarinë, siç kanë vizituar edhe përpara. Pra e kanë nostalgjinë e Bullgarisë që kanë qenë shumë përpara, por hotelet janë shumë më të mira tani dhe kushtet janë shumë më të mira se përpara”, shprehet Shpëtim Turku nga Agjencioni Turistik “Fibula”.  

Fluturime nga Prishtina për në Burgas do të ketë çdo të martë, me nisje nga ora 07:00 dhe kthimi në orën 10:00.

“Së pari është destinacion i ri edhe çmimet janë shumë të kapshme për gjepin tonë dhe sillen prej 399 euro deri në 800-900 euro, por mesatarja është 600 deri në 700 euro për shtatë ditë e shtatë net fjetje në Bullgari me koncept all apo ultra-inclusive...Bullgaria përpara ka qenë më shumë e njohur për skijim, sepse kanë shkuar njerëzit katër-shtatë ditë maksimum. Interesimi është shumë i madh pasi që është risi këtë vit Bullgaria”, shton Turku.

Me liberalizimin e vizave, për herë të parë këtë vit, turistët nga Kosova do të kenë mundësi të eksplorojnë bukuritë e Bullgarisë.

 “Duke marrë parasysh liberalizimin e vizave, kosovarëve u është krijuar mundësia që të lëvizin edhe në vendet e tjera të cilat kanë qenë nën regjimin e vizave. Ju e dini që kosovarët viteve të fundit, si fokus të veçantë kanë pasur Shqipërinë, Malin e Zi, Turqinë dhe këto vendet të cilat nuk kanë pasur liberalizim të vizave. Tashmë me liberalizim të vizave, kosovarët kanë filluar që të lëvizin dhe të eksplorojnë vende të tjera të cilat kanë qenë nën regjimin e vizave. Njëra ndër ato është edhe Bullgaria ku Unioni i Turizmit është në mbështetje të agjensioneve turistike, të anëtarëve të vet, dhe ne po mundohemi që të krijojmë sa më shumë kontakte me tour-operatorët nga Bullgaria, jo vetëm që të dërgojmë qytetarë të Kosovës në Bullgari por edhe të sjellim jashtë sezonit nga Bullgaria që të vizitojnë Kosovën”, thotë drejtori i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti.

Bullgaria po shihet si mundësi e mirë që të ftojë qytetarët për turizëm edhe në Kosovë.

“Vetëm në dy muajt e fundit kemi një rritje mbi 50.8 për qind të numrit të turistëve. Dhe kjo është një mundësi jashtëzakonisht e mirë që Unioni i Turizmit të Kosovës i shfrytëzon, ku qoftë nëpërmjet aktiviteteve, takimeve por edhe panaireve të ndryshme mundohet që ta promovojë Kosovën në mundësitë e saj që ka. Andaj është një mundësi shumë e mirë që të ftojmë edhe shumë biznese, tour-operatorë të ndryshëm që të bashkëpunojnë me Kosovën me qëllim që të sjellin vizitorë në Kosovë”, shton ai.

Pushuesit do të kenë mundësi të akomodohen në hotelet më të mira, me katër dhe pesë yje të konceptit all dhe ultra inclusive.

Në rrugën kryesore Burgas-Varna, i rrethuar nga gjelbërimi, ndodhet Aqua-parku më i madh në Ballkan. Mysafirëve u shërbehet kuzhina me ushqime të shijshme bullgare e ndërkombëtare, përfshirë edhe menynë për fëmijë. Brenda pallatit të Aqua Paradise Resort mund të akomodohen me qindra mysafirë. Ata mund të shfrytëzojnë pishinën e jashtme dhe të brendshme, fitnesin, saunën, restorantet e qendrën e SPA-s.

Mes detit dhe malit, në një pamje përrallore ndodhet Hyatt Secret dhe Hyatt Dreams Sunny Beach Resort. Në kapacitet prej 1000 dhomave, vizitorët në këtë zonë mund të shijojnë kombinimin unik të ajrit malor dhe klimës bregdetare të Detit të Zi. Të dy këto hotele ofrojnë qasje të drejtpërdrejt në zonën e plazhit e shërbim 24 orësh all-inclusive. Kuzhina është e pasur me ushqime të llojllojshme mesdhetare dhe evropiane. Në ambient qetësie e relaksi ofrohet edhe SPA-ja ekskluzive, qendra e masazhit, palestra e një gamë e gjerë shërbimesh.

“Buzëqeshja juaj fillon këtu” është moto e “Voya Beach Resort”. Hoteli me pesë yje, i vendosur 300 metra nga plazhi qendror i Sveti Vlas ofron shërbim luksoz 24 orësh.

Kjo është ndër portat më të famshme bullgare dhe ofron llojllojshmëri të shërbimeve luksoze në konceptin “Ultra All Inclusive”. Mysafirët kanë mundësi të shijojnë ushqime nga kuzhina bullgare, italiane e ushqime deti. Dyert e hotelit janë hapur për të gjithë turistët nga Kosova, ku mund të akomodohen në mbi 350 dhoma moderne familjare. Posedon edhe hapësirat për relaksim të të gjithë pushuesve. 

Jo larg nga qyteti i Nessebar-it të Bullgarisë, e pak metra larg plazhit, është pozicionuar “Melia Sunny Beach”. Në tri komplekset ofrohen dhoma të bollshme, restorante të pasura me pjata të shijshme bullgare dhe bar buzë deti me pije të freskëta. Në qendër të Sunny Beach ju mund të krijoni kujtime të pashlyeshme familjare me tri pishina të jashtme dhe një të brendshme e parajsë për fëmijë me dy kënde lojërash.

Përreth valëve të detit, e parkut të gjelbër, ju mund të shijoni elegancën e “Reina Del Mar”. Ky hotel ofron 637 dhoma me pamje nga kaltërsia e Detit të Zi. Ju mund të zgjidhni edhe Villat Laguna dhe River dy katëshe të cilat kanë qasje direkte në pishina të jashtme.

Kuzhinierët kanë kombinuar stilet tradicionale mes ushqimit mesdhetar dhe ballkanik.

Gjithçka bëhet më e përsosur kur ju shijoni freskinë e malit dhe të dallgëve të detit. Të dy këto janë kombinuar mirë edhe në lukset qe ofrojnë hapësirat e SPA-s.

Gjatë tërë ditës e në perëndim të diellit, fëmijët mund të shijojnë programin e animacionit në pishinën kryesore.

Përveç në Bullgari, Fibula Travel ka përgatitur edhe oferta të tjera në shumë vende turistike.

“Risi do të ketë prej Tiranës në Spanjë dhe për Itali, ndërsa si zakonisht për Turqi vazhdojmë gjithsesi do të ketë fluturime për Antalia çdo ditë, do të ketë fluturim për Bodrum gjithashtu edhe Stambolli dhe Kapadokia janë shumë të vizituara nga kosovarët....Gjithmonë do të jetë Turqia pasi që për atë çmim që paguajnë dhe çfarë ofron Turqia është shumë në krahasim me pagesën që e bëjnë”, përfundon ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024