Avokatët gjermanë dhe palestinezë për të drejtat e njeriut kanë ngritur padi në një gjykatë administrative të Berlinit, duke kërkuar të pezullojë licencat e eksportit të lëshuara nga qeveria gjermane për dërgesat e armëve në Izrael, njoftoi sot Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe Njeriut (ECCHR) me seli në Berlin. Padia është në emër të pesë palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës, anëtarët e familjes së të cilëve janë vrarë gjatë sulmeve me raketa izraelite, tha EECHR në një deklaratë.
“Një parakusht themelor për një politikë të jashtme gjermane të bazuar në rregulla dhe të orientuar drejt të drejtave të njeriut është respektimi i ligjit në vendimmarrjen e tij. Gjermania nuk mund të qëndrojë besnike ndaj vlerave të saj nëse eksporton armë në një luftë ku shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar janë të dukshme”, tha sekretari i Përgjithshëm i ECCHR, Wolfgang Kaleck. “Në padinë tonë, ne i bëjmë thirrje gjykatës, si pjesë e masave të përkohshme, të pezullojë licencat e eksportit të lëshuara nga qeveria gjermane për dërgesat e armëve në Izrael,” shtoi ai.Padia thotë se armët e luftës, për të cilat Gjermania po jep licenca, po përdoren për të vrarë dhe zhvendosur civilët, për të shkatërruar infrastrukturën civile në Gaza, si dhe për të kontrolluar dhe kufizuar transferimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare. Në vitin 2023, Gjermania lëshoi një licencë për eksportin në Izrael të 3,000 armëve antitank, por një kërkesë për 10,000 fishekë municionesh precize 120 mm për tanket izraelite është ende në pritje. Një numër i madh i komponentëve të tjerë, si motorët për tanke, janë licencuar dhe eksportuar gjithashtu, duke e bërë Gjermaninë ofruesin e dytë më të madh të armëve në Izrael pas SHBA-së. /AA