Kryetari i Shtimes Qemajl Aliu ka reaguar sot pasi komuna që ai drejton është përzgjedhur në mesin e 11 komunave përfituese të granteve të performancës komunale.
Shtimja, Rahoveci, Obiliqi, Skënderaj, Suhareka, Kaçaniku, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi dhe Peja kanë përfituar grant në vlerë prej 8.3 milionë eurosh.“Çmimi i sotëm dëshmoi edhe njëherë mirëqeverisjen, ligjshmërinë e llogaridhënien ndaj qytetarëve, transparencën e efektivitetin - parime mbi të cilat jemi zotuar të punojmë dhe që sigurt po e implementojmë. Ky model i menaxhimit të suksesshëm përkthehet në përfitim afro 400 mijë euro shtesë për qytetarët e Komunës sonë”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Granti i performancës është vula e qeverisjes progresive, andaj Aliu thotë se ndihet i privilegjuar dhe mirënjohës që me bashkëpunëtorët dhe falë profesionalizmit të punëtorëve të administratës me në krye ekipin raportues komunal, kanë arritur këtë sukses të madh të përbashkët.