LVV mburret për punën në Kuvend, shprehen të gatshëm për zgjedhje të reja
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është mburrur për numrin e madh të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Sipas partisë në pushtet, kjo legjislaturë është më e suksesshmja në historinë e jetës parlamentare me 218 ligje të miratuara, ndërkaq vetëm këtë vit siç thanë ata janë miratuar 71 ligje.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në konferencë për medie të mërkurën, tha se mazhoranca ka bërë reformë përmbajtjesore në sektorin e drejtësisë, ekonomisë, energjisë dhe sistemit social, të cilat sipas saj kanë qenë pjesë e programit zgjedhor.
Duke folur për rrëzimin e disa neneve të Ligjit për paga nga Gjykata Kushtetuese, Kusari-Lila tha se Kuvendi do të reflektojë në plotësim-ndryshimin e këtij ligji, sipas aktgjykimit të kushtetueses, por tha se përmes kësaj po humbet elementi që në sektorin publik të mos ketë diferencë të madhe të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por nuk ka indikacione për një gjë të tillë.
Teksa përmendi një sondazh që u publiku ditëve të fundit, Rrustemi u shpreh i bindur se Vetëvendosje do të dal më mirë në zgjedhje sesa në vitin 2021.
Krahas kësaj, ai përsëriti se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe e interesuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Por akuzoi këtë të fundit se nuk po dëshiron të zbatojë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit./KosovaPress/