Dënim maksimal e meritor po kërkohet nga institucionet e drejtësisë për vrasësit e Liridona Ademajt. Policisë, prokurorisë e gjykatave po iu kërkohet edhe që të mos neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Kështu u tha në konferencën “Preferencat Gjinore dhe Aborti Selektiv - Diskriminimi gjinor dhe praktika të dëmshme ndaj vajzave". Aty u bë e ditur se vetëm vitin e kaluar janë shënuar rreth 1070 raste të aborteve, ku u theksua se detyrimi i heqjes së fëmijës është vepër çnjerëzore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shtoi se gjatë këtyre ditëve kanë organizuar aktivitete të shumta por vazhdojnë të jenë të shqetësuar me dhunën."Rasti që ndodhi para disa ditëve ishte një krim i rëndë që tronditi shoqërinë tonë sërish. Pra, një rast i cili duhet të marr dënimin e merituar nga institucionet tona të drejtësisë. Kjo tregon që edhe përkundër faktit që ne kemi ndërmarrë veprime të shumta si institucione, si qeveri, si Ministri e Drejtësisë për ta luftuar dhunën me bazë gjinore por edhe dhunën ndaj vajzave dhe grave, rasti që ndodhi para pak ditësh është dëshmi që kemi ende shumë punë për të bërë në shoqërinë tonë. Si ministre e drejtësisë, sigurisht që do të kryejë përgjegjësinë më të lartë të gjitha obligimet që kam, por gjithashtu ftoj të gjitha institucionet, me theks policinë, prokurorinë dhe gjykatat që mos të neglizhojnë rastet e dhunës në familje. Sepse neglizhenca e këtyre rasteve sigurisht që po inkurajon dhunuesit dhe ndërmarrja e veprimeve minimale ndaj dhunuesve po i shndërron ata në vrasës”, deklaroi Haxhiu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se është çnjerëzore detyrimi i heqjes së fëmijës femër.
Tutje, shtoi se vetëm vitin e kaluar në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1070 aborte.
Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë fushatës globale u vra Liridona Ademaj, rast ky që tronditi Kosovën.
Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko - Nimani tha se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se vajzave.
Fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore” ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Kjo fushatë do të përfundojë më 10 dhjetor.