Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë në Samitin Botëror të Ndryshimeve Klimatike COP28, i cili po zhvillohet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në ditën e dytë të samitit, Rama tha se vendet në zhvillim si Shqipëria janë përpjekur në mënyrë të palodhur për të trajtuar sfidat e zhvillimit ndërkohë që janë përballur me efektet negative të ndryshimit të klimës.Duke folur për marrëveshjen e Parisit për klimën, ai theksoi se pavarësisht se kjo dukej si “rreze shprese” realiteti është larg zotimeve të ndërmarra.
Rama tha se Shqipëria synon të bëhet lider energjetik në rajon duke theksuar se Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dyoksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë.
“Së dyti, vendi ynë synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dyoksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë. Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit”.
“Së treti, Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Evropës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. Angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu”, tha Rama. /EuronewsAlbania