FIBA ia beson Kosovës organizimin e dy garave evropiane
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Pas votimit në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës në Gjenevë, Federata e Basketbollit e Kosovës, zyrtarisht do të organizojë dy evente madhështore evropiane në Kosovë si: FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat dhe FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C – Femrat.

Gara e parë do të mbahet më 25-30 qershor 2024, ndërsa e dyta më 23-28 korrik 2024.

Kosova për herë të parë me Përfaqësuesen Seniore të Femrave ka marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla në vitin 2021 në Nikozia të Qipros, ku ka shënuar sukses të madh, duke e zënë vendin e tretë, kurse një vit më vonë sërish ka garuar në Nikozia, duke e zënë vendin e katërt.

Astera Tuhina e ka siguruar një vend në TOP 5 lojtaret më të mira të këtij evropiani.

Kjo është hera e dytë që Federata e Basketbollit e Kosovës organizon një garë të FIBA-s në konkurrencën e femrave, pasi që në vitin 2019 ka qenë organizatore e FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B, përderisa më parë i ka organizuar edhe katër FIBA Kampionate Evropiane në konkurrencën e meshkujve.

Ndërkaq, FBK në vitin 2024 do të marrë pjesë edhe me Përfaqësuesen U16 të Vajzave në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B.

Federata e Basketbollit e Kosovës në Planin Strategjik 2021-2025 e ka si qëllim të veçantë: ‘Vajzat dhe Gratë në basketboll’, ku nëpërmjet këtij qëllimi, synon që përveç të ngrit nivelin e lojës së basketbollit për vajza, masivizimin, por edhe vetëdijësimin e opinionit për të mbështetur basketbollin në konkurrencën e femrave në të gjitha aspektet dhe nga të gjitha grupet e interesit. 

Andaj kandidatura për organizime të dy eventeve në konkurrencën e femrave dëshmon edhe një herë përkushtimin e FBK-së për të zhvilluar basketbollin e vajzave/grave si në nivel të lojës, ashtu edhe jashtë saj.

FBK prej se është anëtarësuar në FIBA më 2015, rregullisht merr pjesë në FIBA Kampionate Evropiane të Gjeneratave të Reja në të dyja konkurrencat.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024