Policia e Kosovës ka ofruar ekip të mbrojtjes së afërt për dy liderët opozitar, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun. Për të dy këta, ky institucion thotë se në bazë të vlerësimit, kanë ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë. Siguri përmes mbrojtjes së afërt po i ofrohet edhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë për KosovaPress, se në lidhje me këtë e kishte informuar vet Policinë e Kosovës.Ai konsideron se Serbia nuk është mjaftuar me aktin e agresionit më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, serbët nuk do të dorëzohen dhe mund të sulmojnë kazerma, stacione policore, për çka vlerëson se institucionet duhet të jenë vigjilente.
Në vazhdimësi Rashiq ka deklaruar se ai edhe familja e tij kanë vështirësi gjatë udhëtimit për në Serbi. Ai ka përmendur djalin e tij, i cili ishte ndaluar për katër orë në pikat kufitare, siç ka thënë ai, nga njerëzit e BIA-s. Megjithatë, deri në publikimin e lajmit, ai nuk ka konfirmuar nëse i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës.Në përgjigjen për KosovaPress, Policia e Kosovës konfirmoi se ndaj krerëve të partive opozitare ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë.
“Policia e Kosovës në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore që ka, bënë edhe vlerësimin e sigurisë së personaliteteve të rëndësisë së veçantë dhe varësisht nga informacionet apo të gjeturat ndërmerr masat për ofrimin e sigurisë. Në këtë rast edhe ndaj personaliteteve në fjalë ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë dhe të njëjtëve sipas vlerësimit iu është ofruar siguri”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri deklaroi se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku nuk ka ndërprerë punën e tij.
Ai theksoi se është rritur kujdesi i organeve të sigurisë ndaj kreut të kësaj partie, por nuk ka ndryshuar asgjë në agjendën e tij.