FSHF e konfirmon miqësoren e radhës së Shqipërisë
Përmes një komunikate zyrtare, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka konfirmuar miqësoren e radhës së Kombëtares së Shqipërisë.
Më 17 tetor të këtij viti, Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë miqësore ndaj asaj të Bullgarisë, raporton KosovaPress.
“FIFA ka lënë data të lira për të gjitha kombëtaret që janë në grupe me nga 5 ekipe. Edhe në muajin mars, ishte planifikuar një miqësore kundër Uzbekistanit, por që u anulua në ditët e fundit. Kësisoj, për në tetor, FSHF gjeti dakordësinë me Federatën Bullgare për të shfrytëzuar këtë datë zyrtare për të organizuar një ndeshje miqësore”, shkruante në komunikatën e FSHF-së.
Ndërkaq, para kësaj miqësoreje më 12 tetor, Shqipëria do të luajë me Çekinë në stadiumin “Air Albania”, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
Kjo do të jetë hera e 11-të që dy kombëtaret ballkanase do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën Shqipëria dhe Bullgaria janë përballur jo vetëm ‘miqësisht’, por edhe në ndeshje të vlefshme për kualifikuese të Kampionatit Europian, eliminatore të Kampionatit Botëror, por edhe për Kupën Ballkanike.