Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të aktiviteteve në shënim të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve mori pjesë në diskutimin e hapur me nxënës të komunave të ndryshme të vendit, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Para fëmijëve të shumtë dhe të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se përpjekjet e Qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve, për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për realizimin e atyre të drejtave dhe për ngritjen e mirëqenies së fëmijëve, janë edhe të vazhdueshme edhe konkrete. Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se qeveria është duke e zbatuar Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve dhe ato sektoriale, të cilat prekin interesat e fëmijëve.
“Nuk mjafton veç ligji, nuk mjafton veç strategjia, duhen të dyja. Pra, politikat janë ligje plus strategji. E tash ne e kemi aprovuar Strategjinë për Arsim 2022-2026”, tha ai.
Kurti përmendi punësimin e 160 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, 20 inspektorëve të arsimit, derisa potencoi se është duke u punuar në kurrikula për edukimin në fëmijëri të hershme.
Për fëmijët tanë në mërgatë, kryeministri tha se është botuar teksti Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare-Niveli 1 për fëmijët në mërgatë, në mënyrë që të kenë edhe integrim atje ku jetojnë, por pa asimilim.
“E mësimi i mirë i gjuhës shqipe edhe i kulturës shqiptare është garancion që edhe integrohesh suksesshëm kudo që jeton, por në të njëjtën kohë edhe nuk asimilohesh për nga identiteti që ke”, tha ai, duke shtuar se në bashkëpunim me Shqipërinë janë në përgatitje të tekstit të dytë për mërgatën, dhe po ashtu është bërë unifikimi i Abetares kombëtare me Shqipërinë.