Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica”, që vepron në Bosnje dhe Hercegovinë, Sabiha Husiq deklaron se nuk mjaftojnë katër prokurorë në ndëshkimin e krimeve të luftës, aq sa aktualisht numëron Kosova. Ajo thotë se shteti duhet të krijojë mjedis të sigurt për të mbijetuarat që dëshmojnë për atë çfarë kanë përjetuar dhe që autorët e këtij krimi të ndiqen penalisht. Në intervistën për KosovaPress, ajo flet edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për çka vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet e Bosnje-Hercegovinës. Po ashtu, tregon për përvojat e këtij vendi në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale nga kriminelët serbë.
Sabiha Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnje, konsideron se është e rëndësishme që gratë dhe burrat të flasin për torturat që kanë përjetuar nga kriminelët serbë.Drejtoresha e organizatës “Medica Zenica” vlerëson se Kosova duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë Bosnje-Hercegovina në përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.
Në intervistën për KosovaPress, ajo tregon se tash e tri dekada kanë ofruar qindra shërbime për të mbijetuarat e dhunimeve seksuale, atyre të dhunës në familje dhe në komunitet. Ajo shton se kanë ofruar këshillim psikologjik, ligjor, fuqizim ekonomik dhe puna në zonat rurale.
Rreth 20 mijë gra e burra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nga kriminelët serbë. Deri më tani nga gjykatat vendore është shqiptuar vetëm një dënim prej dhjetë vitesh për dhunim seksual për kriminelin Zoran Vukotiq. Ndërkaq, së fundmi janë ngritur dy aktakuza në mungesë nga Prokuroria Speciale./Sh.Pajaziti