​Serbia mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurisë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mëngjesin e sotëm (e shtunë) është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Në këtë takim që po mbahet në Beograd është edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, si dhe të gjithë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi.

Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare po mbahet një ditë pas tensioneve në veri të vendit, pasi njerëz me të dyshuar kriminale penguan kryetarët e zgjedhur më 23 prill të hyjnë në objektet e Kuvendeve Komunale në Zveçan, Leposaviq si dhe Zubin Potok.

Për shkak të sulmeve ndaj tyre, policia u detyrua që të përdorë gazin lotsjellës si dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët të cilët përpos policisë, sulmuan edhe përfaqësuesit e mediave si dhe civilë të tjerë.

Policia deklaroi se të paktën pesë zyrtarë janë lënduar si pasojë e sulmeve ndaj tyre.

Ndërkombëtarët, të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kërkuan nga Kosova që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në veri të vendit.

Ai është shprehur se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.

“Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka potencuar se i kuptojnë shqetësimet e ndërkombëtarëve lidhur me situatën e krijuar, por ka theksuar se opsionet e tjera do të ishin mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.

Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024