Shqipëria ka pasur një rritje me 54% të numrit të turistëve në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin 2019, duke u bërë kështu vendi i tretë në botë.
Bazuar në të dhënat që janë publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit, (UNWTO) në vend të parë renditet Katari dhe Arabia Saudite.Rreth 235 milionë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht në tre muajt e parë, më shumë se dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit 2022. Megjithatë, rimëkëmbja e turizmit përballet edhe me disa sfida.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.
Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota. /ATSH/