Se ndryshimet e ligjit në Serbi i shërbejnë Aleksandar Vuçiqit si një monedhë negociuese me Evropën, qytetarët dhe opozitën, se zgjedhjet nuk do të jenë këtë vit por vitin tjetër, se presidenti do të "propozojë" një qeveri kalimtare, por se në një moment ai planifikon të largohet nga Serbia - dhe se pikërisht për këtë arsye ai i frikësohet shtypjes masive të popullsisë, është i bindur historiani dhe analisti politik serb, Dragomir Andjelkoviq.
I vetëdijshëm se shumica e njerëzve, madje edhe brenda sistemit, kanë marrë zemër, Aleksandar Vuçiq tani po e ndryshon sistemin, ka thënë në një intervistë Andjelkoviq, shkruan N1, transmeton KosovaPress.
"Edhe para se të niste kuazi-reforma të ndryshme, pra anti-reforma, ai tashmë ka treguar se besnikët e tij në polici nuk ofrojnë ndihmë. Prokurori nis diçka, por përballet me injorimin nga policia. Është një lloj grushti shteti gjysmë-shtetëror", shtoi ai.
Vuçiq ka arritur të ndryshojë mekanizmat e forcës dhe të funksionojë paralelisht, duke injoruar faktin se shumica e qytetarëve janë kundër tij.
Ai është i bindur se me "reformat" e gjyqësorit, Vuçiq po i ngre rreziqet, në mënyrë që në një moment të mund të bëjë pazare me qytetarët, politikanët, studentët...
Ai gjithashtu mendon se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2027.
E në vend të Bjellorusisë, Andjelkoviq beson se një krahasim më i mirë është me Armeninë dhe rebelimin që ndodhi kur Serzh Sargsyan u përpoq të kalonte nga pozicioni i presidentit në pozicionin e kryeministrit.