AMP në Shqipëri pezullon nga detyra 19 policë, dyshohet se përfituan shuma të paligjshme
Lexohet për: 7 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pezulloi nga detyra 19 punonjës policie, pasi nëpërmjet faturave fiktive dhe të falsifikuara, të paraqitura në kohë të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në misionin FRONTEX, kanë përfituar shuma të paligjshme në euro.

Në njoftimin për shtyp AMP theksoi se “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë), pas hetimeve intensive disa mujore të kryera me metoda speciale, ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila vendosi “Pezullimin e ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik” ndaj 19 punonjësve të policisë, si edhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj 2 shtetasve (përfaqësues të operatorëve në fushën e hotelerisë)”.

Vendimi i Gjykatës ka ardhur në kuadër të procedimit penal referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ku nga hetimet disa mujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës të Jurdiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka rezultuar se këta punonjës policie, nga nivelet e larta drejtuese dhe deri në nivelin zbatues, me veprime të kundërligjshme, nëpërmjet faturave fiktive dhe të falsifikuara, të paraqitura në kohë të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në misionin FRONTEX, kanë përfituar shuma të paligjshme në euro.

Nga hetimet ka rezultuar e provuar se nga punonjësit e policisë në nivelin drejtues, në shpërdorim të detyrës, janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm urdhra transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare, në juridiksionin e DVKM Korçë, me qëllim favorizimin e punonjësve të Policisë në përfitime të paligjshme.

Ndërsa nga Sektori i Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, në tejkalim të kompetencave ligjore dhe në shpërdorim të detyrës, bazuar në dokumentacionet fiktive të paraqitura nga punonjësit e policisë, janë lëvruar shuma në euro, të cilat përfshinin shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

Hetimet vazhdojnë me qëllim nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore dhe të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Sipas AMP-së, Konkretisht janë pezulluar:

Drejtues B. T., 45 vjeç, me detyrë asistent i drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Koordinator lokal i operacionit të përbashkët me misionin FRONTEX, i dyshuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikim i dokumentave”;

Drejtues A. J., 63 vjeç, ish-drejtor i DVKM Korçë, aktualisht me detyrë asistent i drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, i dyshuar për “Shpërdorimi i detyrës”;

Kryekomisar A. M., 57 vjeç, ish-drejtor i DVKM Korçë, aktualisht me detyrë asistent i drejtorit në DVP Elbasan, i dyshuar për “Shpërdorimi i detyrës”;

Kryekomisar SH.A., 63 vjeç, me detyrë Shef në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, i dyshuar për “Shpërdorimi i detyrës”;

E.M., 54 vjeçe, me detyrë Specialiste në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, e dyshuar për “Shpërdorimi i detyrës”;

Nënkomisar D. A., 35 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Thanë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Nënkomisar A. I., 32 vjeç, me detyrë Specialist për krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Nënkomisar M. A., 27 vjeç, me detyrë Specialist për krimet në Komisariatin e Policisë Korçe, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor E.S., 46 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor S.H., 39 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë në kufirin tokësor, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor E.D. , 43 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi, operator për sistemin e kamerave në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor A.B., 36 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor D.M., 34 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor G.H., 38 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor L.XH., 38 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor F.M., 40 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Thanë, në DVKM Korçë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Inspektor A. I. (D.), 32 vjeçe, me detyrë Trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës, në DVKM Durrës, e dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

Shtetasi A.TH., 41 vjeç, përfaqësues i një subjekti tregtar në fushën e hotelerisë, i dyshuar për “Falsifikimi i dokumenteve”;

Shtetasi G.Ç., 47 vjeç, përfaqësues i një subjekti tregtar në fushën e hotelerisë, i dyshuar për “Falsifikim i dokumenteve”.Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vendosi masën “pezullim disiplinor nga detyra” për 19 punonjës, për të cilët Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “pezullimi i ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, për punonjësit e policisë është bërë pezullimi pa pagesë dhe ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.Drejtoria e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit vlerëson bashkëpunimin me AMP-në dhe Prokurorinë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjes së integritetit të organizatës së Policisë së Shtetit.Drejtoria e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit është plotësisht e angazhuar për zbatimin e rekomandimeve institucionale që synojnë përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet me partnerët ndërkombëtarë dhe kontrollin më rigoroz mbi mënyrën e përdorimit të fondeve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024