Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.M., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, i pandehuri, i armatosur me një armë automatike të tipit AK-47, fillimisht ka bllokuar rrugën me traktorin e tij dhe më pas ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit që drejtohej nga V.S., ku pasagjerë ishin edhe F.K. dhe H.K.
Aktakuza thekson gjithashtu se S.M. ka poseduar pa autorizim armën automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, të cilat janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave dhe zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.