Aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë , kundër 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Prush’’, dhe kundër 2 zyrtarëve doganorë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak siç thuhet të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal.
“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Prush’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.