Aksioni për fajde në Pejë, sekuestrohen armë, vetura e para kesh, ngrihen rreth 5 milionë euro
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Armë, vetura e 45 mijë e 700 euro para kesh janë sekuestruar në aksionin e sotëm që u zhvilluar në 21 lokacione të rajonit të Pejës. Në këtë aksion u arrestuan 17 persona, ndërkohë që njëri prej tyre siç thonë nga policia e prokuroria është në arrati.

Të dyshuarve tashmë iu janë ngrirë rreth 5 milionë euro.

Prokuroria e çështjes, nga departamenti për krimet e rënda, Sahide Gashi ka treguar se hetimet lidhur me këtë rast janë duke u bërë tash e sa muaj, ndërkohë që ka thënë se për të dyshuarit do të kërkohet masa e paraburgimit.

“Kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona të dyshuar për vepër penale për fajdes dhe detyrimit si dhe me ç’rast janë ngrirë pasuri të cilat janë përllogaritur gjerë në këtë fazë që tejkalon shumën prej 5 milionë euro. Pas marrjes së informatave në fillim të nëntorit të 2021 ku sipas këtyre informatave ishin të përfshirë mbi 20 persona në këto vepra penale, kryeprokurori ka formuar një ekip hetues dhe kemi filluar hetimet zyrtare. Fillimisht e kemi pasur një të arrestuar po në këtë rast i cili ka marrë epilog dhe nga gjykata i është caktuar masa e paraburgimit me datën  17.02.2022, gjersa sot me datë 22.2.2022 kemi caktuar masën e ndalimit për 48 orë për 16 persona, prej të cilëve njëri është në kërkim policor”, tregoi prokuroria Gashi.

Ymer Ymeri nga drejtoria për hetimin e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt këtë të martë në Prokurorinë e Pejës, ka treguar se sot janë bastisur 17 shtëpi banimi, dhe katër biznese. E që si provë materiale janë sekuestruar 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata. Po ashtu u sekuestruan 10 vetura dhe 45  mijë e 700 euro para kesh.

Ymeri tregoi edhe pasuritë që u janë ngrirë personave të dyshuar për veprën penale fajde detyrim.

“Gjatë kontrollimit dhe bastisjeve të kryera në 21 lokacione, prej tyre 17 kanë qenë, prona shtëpi banimi ndërsa katër prej tyre kanë qenë biznes, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruara sot 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata. Gjithsej kanë qenë fishekë të kalibrave të ndryshëm 544, 10 vetura, dokumente të ndryshme, bëhet fjalë për fatura, kontrata dhe fletore të ndryshëm relevante për rast si dhe 45 mijë e 700 euro para kesh. Lidhur me rastin në fjalë. Por tek ato të ngrira janë, 20 banesa, janë diku 104 parcela tokë, 80 parcela ku ndahen 21 parcela tokë ndërtimore ndërsa pjesa tjetër e parcelave është tokë bujqësore”, tregoi Ymeri.

Sipas hetimeve të deritanishme, banesat e ngrira si pasuri e fituara duke kryer veprën penale fajde janë në regjionin e Pejës por ka edhe banesa në Fushë Kosovë.

https://kosovapress.com/admin/17-te-arrestuar-per-fajde-ne-peje-ngrihen-rreth-5-milione-euro/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024