Me pankarta, me shifra të sakta të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, aktivistë - qytetarë kanë ndërmarrë një aksion simbolik në shenjë reagimi ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të cilat u larguan nga sheshi i Prishtinës për shkak të numrave të pasaktë të viktimave të luftës. Ky veprim u shoqërua me kritika të ndaj organizatorëve dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, raporton KosovaPress.
Aktivistët thanë se aksioni i tyre synon të korrigjojë, siç u shprehën, një shtrembërim të së vërtetës dhe të mbrojë kujtesën historike të viktimave. Sipas tyre, ekspozimi i ditëve të fundit në shesh ka përmbajtur pasaktësi që nuk duhet të tolerohen.
“Ne sot në shenjë pakënaqësie kemi zhvilluar këtë aksion simbolik duke dashur edhe një herë që të dëshmojmë që e pavërteta e vërteta qëndron në formë tjetër dhe ajo çfarë është ekspozuar ditëve të fundit në sheshin e Prishtinës është një e pavërtetë dhe ne nuk jemi të interesuar të marrim informata dhe dëshmi nga armiku ynë shekullor, por informatat dhe dëshmitë i kemi në gjithandej Kosovës, në të gjitha ato varre, gjitha ato memoriale të cilat gjenden”, tha ai.
Aktivist Astrit Gjoci theksoi se përpjekjet për ta arsyetuar situatën dhe për ta politizuar debatin janë të papranueshme, duke kërkuar që çështja të trajtohet vetëm mbi bazën e fakteve dhe argumenteve.
Gjoci u shpreh se një kërkim falje nga organizatorët do të kishte qenë i mjaftueshëm për të qetësuar reagimet, por sipas tij, arsyetimet e dhëna deri më tani vetëm sa kanë shtuar pakënaqësinë dhe ndjenjën e fyerjes te qytetarët.
Ndërsa, duke folur për verifikimin e të dhënave, ai deklaroi se gabimet kanë qenë lehtësisht të kontrollueshme përmes burimeve ekzistuese në Kosovë, si varrezat dhe memorialet e viktimave.
Aktivistët kërkuan që institucionet përkatëse të trajtojnë seriozisht këtë çështje dhe të sigurojnë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, duke theksuar se respektimi i së vërtetës historike është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Ndërkohë, aksioni i aktivistit Astrit Gjoci kishte nisur që mbrëmë si shenjë pakënaqësie ndaj gabimeve në të dhënat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Një natë më parë, qytetarë dhe ish të burgosur reaguan për numrin më të vogël të të vrarëve në Krushë dhe Prekaz, si dhe për përmbajtjen ku thuhej se 45 të burgosur shqiptarë të vrarë në Burgun e Dubravës ishin të armatosur.
