Akademik Arsim Bajrami shpalli kandidaturën për president të Kosovës.
“Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës, shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, shkroi në Facebook, akademik Bajrami.
Thirrje për unitet politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës
I nderuar Z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,I nderuar Z. Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,
I nderuar Z. Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
Duke marrë në konsideratë nevojën imperative për përmbylljen e qëndrueshme të procesit të shtetndërtimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e sovranitetit shtetëror dhe orientimin euroatlantik të vendit;
Duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik;
Duke qenë njëri ndër hartuesit e të gjitha akteve themelore kushtetuese të Kosovës, si dhe duke dhënë kontributin tim politik, juridik dhe institucional gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në funksion të realizimit të së drejtës së popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe shtet të pavarur;
Duke njohur në mënyrë të thelluar sistemin kushtetues, juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës, si dhe mekanizmat e funksionimit të institucioneve në plan vendor dhe ndërkombëtar;
Duke ndërtuar ndër vite bashkëpunim institucional korrekt, dialog politik konstruktiv dhe respekt reciprok me të gjitha subjektet politike;
Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.
Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit,Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare.Me respekt të veçantë institucional,
Prof. Dr. Arsim Bajrami
Anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve